Hapet porta e parë e emergjencës në kaskadën e Moglicës, priten përmbytje
Prej katër ditësh vendi ynë është përfshirë nga një situatë tërësisht të paqëndrueshme atmosferike, me reshje të dendura shiu që kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në disa zona të vendit.
Si pasojë, dhjetëra banesa janë dëmtuar dhe shumë familje janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut që paraqet niveli i lartë i ujit.
Në Bashkinë Maliq, situata paraqitet veçanërisht e rënduar. Kryebashkiaku Gëzim Topçiu bëri të ditur se prurjet e mëdha të ujit, të shkaktuara nga reshjet intensive, kanë ushtruar presion të lartë në digën e Moglicës. Për të garantuar sigurinë dhe për të shmangur dëmtime më të rënda në infrastrukturën energjetike, është hapur porta e parë e emergjencës së hidrocentralit.
Ky veprim, megjithëse i domosdoshëm për menaxhimin e situatës, pritet të sjellë shtim të prurjeve në zonat përreth, duke rritur rrezikun e përhapjes së ujit në tokat bujqësore dhe në pronat e banorëve lokalë. Autoritetet po monitorojnë nga afër zhvillimet dhe kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, ndërsa strukturat e emergjencave civile janë të angazhuara për të asistuar komunitetin e prekur. /Ora News